Aktgjykimi për lëndën Millutinoviqi e të tjerët (Milutinović) (‘Kosova’) shpallet më 26 shkurt
| NJOFTIM PËR SHTYP |
|
(Eksluzivisht për përdorim nga media. Nuk është dokument zyrtar)
|
|
Hagë, më 24 shkurt 2009
NJ/MOW/PA358a
Aktgjykimi për lëndën Millutinoviqi e të tjerët (Milutinović) (‘Kosova’) shpallet më 26 shkurt
Aktgjykimi për lëndën Millutinoviqi e të tjerët, që përfshinë gjashtë zyrtarë të lartë politikë, ushtarakë dhe policorë nga Serbia dhe ish-Republika Federale e Jugosllavisë të akuzuar për krime në Kosovë gjatë vitit 1999, është vënë në orar të shpallet ditën e enjte, më 26 shkurt në orën 14:15 në Dhomën e gjyqit I.
Aktgjykimi do të jetë i pari që jepet nga Tribunali për krime që pretendohet të jenë kryer nga forcat serbe kundër shqiptarëve të Kosovës gjatë konfliktit të vitit 1999 në Kosovë.
Të akuzuarit, që të gjithë bashkëpunëtorë të liderit Sllobodan Millosheviq (Slobodan Milošević), janë ish Presidenti serb Millan Millutinoviqi (Milan Milutinović), Zëvendës Kryeministri jugosllav Nikolla Shainoviqi (Nikola Šainović), Shefi i Shtabit të Armatës Jugosllave Dragolub Ojdaniqi (Dragoljub Ojdanić), gjeneralët e Armatës Jugosllave Nebojsha Pavkoviqi (Nebojša Pavković) dhe Vlladimir Llazareviqi (Vladimir Lazarević) dhe gjenerali i policisë serbe Sreten Llukiqi (Lukić).
Prokuroria i akuzon të gjashtët për krime në një fushatë të pretenduar terrori dhe dhune të drejtuar kundër shqiptarëve të Kosovës dhe joserbëve të tjerë në Kosovë gjatë vitit 1999. Krimet me të cilat ngarkohen përfshijnë dëbimin dhe zhvendosjen me forcë të disa qindra mijëra njerëzve, si dhe vrasjen dhe përndjekjen e mijëra shqiptarëve të Kosovës.
Lideri jugosllav Sllobodan Millosheviqi ka qenë kryetari i parë i shtetit në post që është akuzuar për krime lufte kur Tribunali ngriti aktakuzë ndaj tij në vititn 1999 për krime të pretenduara në Kosovë. Ai u gjykua për shkelje të pretenduara, si dhe për krime të pretenduara në Kroaci dhe Bosnjë e Hervegovinë midis viteve 2002 dhe 2006, por vdiq nga shkaqe natyrore në prag të përfundimit të gjykimit dhe para se të shpallej një aktgjykim.
Gjithsej Tribunali ka ngritur aktakuzë ndaj nëntë prej zyrtarëve më të lartë serbë dhe jugosllavë për krime që pretendohet të jenë kryer në Kosovë nga forcat serbe në vitin 1999. Ndaj Vllajko Stojilkoviqit (Vlajko Stojiljković), një zyrtar i lartë i policisë i afërt me Millosheviqin, është ngritur aktakuzë por ai bëri vetvrasje para se të arrestohej. Vllastimir Gjorgjeviqit (Vlastimir Đorđević), ish Ndihmës Ministër i Ministrisë Serbe për Punë të Brendshme dhe Shef i Departamentit të saj për Siguri Publike dhe një i ikur nga drejtësia deri me arresitmin e tij në qershor të vitit 2007, i ka filluar gjykimi më 27 janar 2009.
Aktakuza e prokurorisë kundër Millutinoviqit dhe të bashkakuzuarëve të tij pretendon se ata morën pjesë në një ndërmarrje të përbashkët kriminale, qëllimi i së cilës ishte, midis tjerash, të modifikohej barazpesha etnike në Kosovë për të siguruar kontroll të vazhdueshëm serb mbi territorin. Të akuzuarit, dhe anëtarët e tjerë të kësaj ndërmarrjeje, kanë përdorur pushtetin që kishin në disponim si liderë politikë dhe ushtarakë për të arritur këtë qëllim me mjete kriminale që përbëheshin nga një fushatë konsistente dhe sistematike terrori dhe dhune që përfshinte dëbimin, vrasjet, zhvendosjet me forcë dhe përndjekjet të drejtuara ndaj popullatës shqiptare të Kosovës.
Prokuroria pretendon se gjithandej Kosovës, forcat e Sërbisë dhe të Republikës Federale të Jugosllavisë kanë granatuar sistematikisht qytete dhe fshatra, kanë djegur shtëpi dhe ferma, kanë dëmtuar dhe shkatërruar institucionet kulturore dhe fetare të shqiptarëve të Kosovës, kanë vrarë civilë shqiptarë të Kosovës dhe individë të tjerë që nuk kanë marrë pjesë aktive në armiqësitë, dhe kanë sulmuar seksualisht gra shqiptare të Kosovës.
Gjykimi ka filluar më 10 korrik 2006 dhe Prokuroria e ka mbaruar rastin e saj më 1 maj 2007 duke pasë thirrur 113 dëshmitarë. Rasti i mbrojtjes filloi më 6 gusht 2007 dhe përfundoi më 16 maj 2008, duke pasë thirrur gjithsej 118 dëshmitarë. Argumentimet përmbyllëse janë dëgjuar prej 19 deri më 27 gusht 2008 ku Prokuroria kërkoj dënime që shtrihen nga 20 vjet deri në burgim të përjetshëm ndërsa Mbrojtja lirimin e që të gjashtë të akuzuarve.
Që nga themelimi Tribunali ka ngritur aktakuza ndaj 161 individëve për shkelje të serioze të ligjit humanitar të kryera në territorin e ish-Jugosllavisë midis viteve 1991 dhe 2001. Procedurat gjyqësore ndaj 116 individëve kanë përfunduar.