|
Ndihma Juridike Ndërkombëtare
Paraqitja e Kërkesave për Ndihmë drejtuar TPNJ-së
Parimet e ndihmës juridike ndërkombëtare autorizojnë instancat gjyqësore dhe shtetërore nga vendet e ish-Jugosllavisë ose vendet e tjera që ti paraqesin kërkesa për ndihmë Zyrës së Prokurorit të TPNJ-së ose Sekretarisë së TPNJ-së. Këto kërkesa kanë të bëjnë ose me çështje që lidhen drejtpërsëdrejti me zhvillimin e proceseve në Tribunal, ose me hetime dhe procese gjyqësore të hapura në një shtet të huaj.
Shënim: Kërkesat për ndihmë normalisht i përkasin kategorive të poshtëpërmendura dhe mund të paraqiten vetëm në emër të instancave gjyqësore ose shtetërore. Mirëpo viktimat ose dëshmitarët për të cilët janë urdhëruar masa mbrojtëse në procese të Tribunalit, mund t’i bëjnë kërkesë TPNJ-së për ndryshimin, zgjerimin ose shfuqizimin e këtyre masave mbrojtëse. Kërkesat e tjera prej individëve nuk do të konsiderohen si Kërkesë për Ndihmë.
Kërkesat e përgjithshme për informacion dhe dokumente gjyqësore publike, të cilat nuk kanë nevojë për autorizim mund t’i drejtohen Zyrës së Informimit Publik në Hagë ose Zyrave për Kontakt të Sekretarisë. Kopje të dokumenteve gjyqësore publike të Tribunalit mund të gjenden në katalogun e dokumentacionit gjyqësor të TPNJ-së dhe gjithashtu mund të afishohen dokumente të përzgjedhura në rubrikën Çështje Gjyqësore në faqen e Tribunalit në Internet. |
Kërkesat për Ndihmë Drejtuar Zyrës së Prokurorit
Instancat gjyqësore dhe shtetërore që hetojnë krime lufte mund të kontaktojnë Zyrën e Prokurorit të TPNJ-së për çfarëdolloj kërkese për ndihmë lidhur me të dhëna mbledhur prej kësaj zyre.
Kërkesat për Ndihmë Drejtuar Sekretarisë
Kërkesat mund t’i dërgohen drejtpërsëdrejti Sekretarisë në Hagë ose nëpërmjet njërës prej Zyrave të Kontaktit të Sekretarisë.
Përgjithësisht, në Kërkesat për Ndihmë si rregull kërkohen:
a) Kopje të autorizuara të dokumenteve gjyqësore publike të Tribunalit
(Në këto dokumente normalisht përfshihen transkripte, incizime zanore, filmime, prova materiale, urdhra, aktgjykime, etj.)
Kërkesa i paraqitet Sekretarisë dhe duhet të përmbajë këto të dhëna:
| (i) |
emri i paraqitësit të kërkesës dhe instancës kompetente që kryen hetimin ose procesin gjyqësor; |
| (ii) |
juridiksioni i TPNJ-së për zbatimin e kërkesës; |
| (iii) |
hollësi konkrete në lidhje me kërkesën (ndër këto hollësi përfshihen emri/numri i çështjes, data e dhënies së dëshmisë së dëshmitarit, emri/pseudonimi i dëshmitarit, numri i provës materiale, pala paraqitëse, data e pranimit, përshkrimi i provës materiale); |
| (iv) |
qëllimi i saktë i kërkesës për ndihmë; |
| (v) |
hollësi për çfarëdo afati që duhet respektuar; |
| (vi) |
çfarëdo të dhëne tjetër të nevojshme për trajtimin e kërkesës; dhe
|
| (vii) |
qartësim që letra përbën kërkesë. |
Në qoftë se nuk është urdhëruar ndryshe prej Dhomës, kërkesa që nuk plotëson kushtet e lartpërmendura mund t’i kthehet paraqitësit të kërkesës për të dhëna shtesë që Tribunali mund t’i gjykojë të nevojshme ose me një rekomandim që kërkesa t’i paraqitet një shteti të Marrëveshjes së Zbatimit të Dënimeve ose një pale tjetër.
Në qoftë se nuk është urdhëruar ndryshe prej një Dhome, Sekretaria e Tribunalit përcakton formën e autorizimit ose autentifikimit të nevojshme për palën kërkuese të ndihmës.
Në qoftë se nuk është pranuar ose vendosur ndryshe prej një Dhome, shpenzimet e zakonshme administrative të një kërkese për ndihmë që do të zbatohet nga Tribunali, mbulohen prej Tribunalit dhe shpenzime të konsiderueshme ose të jashtëzakonshme mbulohen prej palës kërkuese
Në qoftë se nuk është rënë dakord ndryshe me Sekretarinë ose vendosur ndryshe prej një Dhome, Sekretaria e Tribunalit përcakton afatin e përgjigjes ndaj kërkesës. Pala kërkuese ka të drejtë të kërkojë plotësim urgjent të kërkesës duke qartësuar arsyet e urgjencës.
b) Ndryshimi i Masave Mbrojtëse
(Rregulla 75 (H) e Rregullores së Procedurës dhe Provave)
Bazuar në Rregullën 75 (H) të Rregullores së Procedurës dhe Provave, një gjykatës ose trup gjykues i një juridiksioni tjetër, palët në një juridiksion tjetër autorizuar prej instancës përkatëse gjyqësore, ose një viktimë apo dëshmitar për të cilin janë urdhëruar masa mbrojtëse nga Tribunali, mund të kërkojnë shfuqizimin, ndryshimin ose zgjerimin e masave mbrojtëse të Tribunalit nëpërmjet një kërkese drejtuar Kryetarit të Tribunalit.
Ndër këto kërkesa mund të jenë kërkesa për të parë dokumente gjyqësore konfidenciale si p.sh, prova materiale apo parashtrime, ose kërkesa për dëshmi dëshmitarësh apo të dhëna për dëshmitarë të mbrojtur.
Kërkesat bazuar në Rregullën 75 (H) të Rregullores së Procedurës dhe Provave paraqiten në përputhje me Udhëzimin Praktik IT-254 mbi Procedurën për Ndryshimin e Masave Mbrojtëse Bazuar në Rregullën 75 (H) të Rregullores së Procedurës dhe Provave të Tribunalit Ndërkombëtar për Shqyrtimin e Materialit Konfidencial të Tribunalit.
c) Marrja e deklaratave ose e dëshmisë prej një të paraburgosuri të juridiksionit të Tribunalit në Holandë
• Çështje penale në lidhje me krimet e luftës në ish-Jugosllavi
Nëqoftëse objekti i hetimeve ose procedurave të një juridiksioni tjetër përfshihet në juridiksionin e TPNJ-së, siç përcaktohet në Nenet 3-5 të Statutit të TPNJ-së, Tribunali mund të ofrojë ndihmë në organizimin e masave për dhënien e një deklarate ose dëshmie prej të paraburgosurit në ambientet e Tribunalit nëpërmjet lidhjes me video, me kusht që i paraburgosuri të japë pëlqimin për lidhjen me video. Në qoftë se i paraburgosuri nuk jep pëlqimin pas kërkesës së Tribunalit, pala kërkuese mund të paraqesë kërkese për ndihmë juridike reciproke drejtuar shtetit pritës (Holandës), përshkruar më poshtë.
Kërkesat për lidhjen me video i paraqiten Sekretarisë dhe duhet të përmbajnë këto të dhëna:
| (i) |
emri i paraqitësit të kërkesës dhe instancës kompetente që kryen hetimin ose procesin gjyqësor; |
| (ii) |
numri i çështjes për të cilën kërkohet ndihmë; |
| (iii) |
data ose periudha brenda së cilës kërkohet ndihma; |
| (iv) |
hollësi të çfarëdo afati që duhet respektuar; |
| (v) |
arsyet për të cilat paraqitësi i kërkesës kërkon ndihmën e të paraburgosurit; |
| (vi) |
dispozita ligjore në legjislacionin shtetëror në bazë të së cilës bëhet kërkesa;
|
| (vii) |
çfarëdo të dhëne tjetër të nevojshme për trajtimin e kërkesës. |
• Çështje penale të tjera
Në të gjitha çështjet e tjera ku kërkohet deklarata ose dëshmia e një të paraburgosuri, pala kërkuese mund t’i paraqesë kërkesë për ndihmë juridike reciproke shtetit pritës (Holandës). Kërkesa të tilla për ndihmë juridike mund të bazohen në traktatet në fuqi për ndihmën juridike reciproke, si Konventa Evropiane për Ndihmën Reciproke në Çështje Penale e 20 prillit 1959, ose në mungesë të traktatit përkatës, mbi bazën e një letërporosie të gjykatës paraqitëse të kërkesës drejtuar Gjykatës së Qarkut të Hagës.
Kryerja e procedurës për një të paraburgosur të TPNJ-së, në lidhje me përmbarimin e një kërkese për ndihmë juridike shtetit pritës, zbatohet në kuadër të legjislacionit përkatës të shtetit pritës.
Në qoftë se nuk është vendosur ose pranuar ndryshe prej Dhomës, shpenzimet e zakonshme administrative të një kërkese për ndihmë që bien mbi Tribunalin gjatë dhënies së ndihmës në kërkesën për ndihmë drejtuar shtetit pritës, mbulohen prej Tribunalit, dhe shpenzime të konsiderueshme ose të jashtëzakonshme mbulohen prej palës kërkuese.
• Çështje civile dhe administrative
Kërkesa për marrjen e deklaratave një të paraburgosuri në lidhje me një çështje civile ose administrative në fazën hetimore ose në procedim brenda kuadrit të një juridiksioni tjetër mund të bëhet në një prej mënyrave në përputhje me ligjet dhe rregullat e shtetit pritës.
(i) Deklaratat merren pa detyrim prej një përfaqësuesi diplomatik ose konsullor të akredituar në shtetin pritës, të shtetit të cilit i përket i paraburgosuri ose që ka marrë përsipër përfaqësimin e interesave të tij ose të saj, me kusht që deklarata të jetë në lidhje me çështje në hetim ose çështje të hapura në këtë shtet. Përfaqësuesi diplomatik ose konsullor kryen procedurën e betimit me të paraburgosurin dhe është i pranishëm për të garantuar ndershmërinë e procesit. Pyetjet me shkrim paraqiten prej zyrtarit diplomatik ose konsullor ose prej përfaqësuesit të palës kërkuese të deklaratës. Përfaqësuesi diplomatik ose konsullor mund ti paraqesë kërkesë Sekretarit të Tribunalit.
(ii) Deklaratat merren pa detyrim prej një noteri të regjistruar në Holandë (notaris) i cili paraqet pyetjet me shkrim në emër të palës kërkuese të deklaratës. Marrja e deklaratave të tilla mund të bëhet pa pëlqimin paraprak ose njoftimin e autoriteteve të shtetit pritës. Pala kërkuese e deklaratës duhet të marrë masa për praninë e një shkruesi gjyqi dhe një përkthyesi nëse kërkohet. Noteri mund ti paraqesë kërkesë Sekretarit të Tribunalit
(iii) Deklaratat mund të merren prej një gjykatësi të Gjykatës së Qarkut të Hagës i cili paraqet pyetjet me shkrim në emër të palës kërkuese të deklaratës. Pala kërkuese e deklaratës në këtë procedurë mund t’ia paraqesë kërkesën Gjykatës së Qarkut të Hagës në përputhje me traktatin përkatës mbi ndihmën juridike reciproke midis shtetit të instancës kërkuese dhe shtetit pritës ose në mungesë të një traktati të tillë, nëpërmjet një letërporosie të gjykatës kërkuese për Gjykatën e Qarkut të Hagës.
d) Marrja e deklaratave ose dëshmisë prej një të akuzuari në lirim të përkohshëm me kusht
Kërkesa për ndihmë në një çështje administrative, civile ose penale në fazën hetimore ose në procedim në një gjykatë të një juridiksioni tjetër me pjesëmarrjen e një personi në lirim të përkohshëm me kusht, në përputhje me një urdhër të një Dhome të Tribunalit sipas Rregullës 65 të Rregullores së Procedurës dhe Provave, i duhet drejtuar instancës kompetente të juridiksionit ku personi është liruar përkohësisht, në përputhje me ligjet dhe rregullat e atij juridiksioni i cili duhet të mbajë parasysh kushtet dhe kufizimet e urdhrit për miratimin e lirimit të përkohshëm dhe të këshillohet me Tribunalin nëse kërkesa mund të thyejë urdhrin e miratimit të lirimit të përkohshëm.
e) Marrja e deklaratave ose e dëshmisë një personi të shpallur fajtor me vendim të formës së prerë i cili vuan dënimin në një Shtet Përmbarues
Kushtet dhe kufizimet e burgimit të individëve që janë shpallur fajtorë me një vendim të formës së prerë prej Tribunalit dhe që vuajnë dënimin përkatës përcaktohen prej ligjeve të shtetit ku zbatohet dënimi (“Shteti Përmbarues”). Si pasojë kërkesat për ndihmë ku parashikohet pjesëmarrja e një personi të shpallur fajtor me vendim të formës së prerë dhe që vuan dënimin në një Shtet Përmbarues, i duhen drejtuar Shtetit Përmbarues. Shteti Përmbarues vendos për miratimin ose mosmiratimin e kërkesave për ndihmë, në përputhje me ligjet dhe rregullat e Shtetit Përmbarues dhe në përputhje me dispozitat e marrëveshjes së zbatimit të dënimeve midis Kombeve të Bashkuara dhe Shtetit Përmbarues ose juridiksionit sovran brenda Shtetit Përmbarues.
f) Dorëzimi i dokumenteve të paraburgosurve të TPNJ-së për procese administrative ose gjyqësore jo të Tribunalit dhe posta rekomandé për të paraburgosurit
Dorëzimi i dokumenteve një të paraburgosuri të juridiksionit të Tribunalit në Holandë, në lidhje me procese administrative ose gjyqësore jo të Tribunalit, është akt ligjor që kryhet në bazë të ligjeve të shtetit pritës. Ligjet e shtetit pritës autorizojnë dorëzimin e dokumenteve në mënyra të ndryshme:
| (i) |
nëpërmjet përfaqësuesit diplomatik ose konsullor, pa detyrim, në çështje administrative, civile dhe penale jashtë shtetit pritës; |
| (ii) |
nëpërmjet postës rekomandé adresuar të paraburgosurve për çështje administrative, civile dhe penale jashtë shtetit pritës; |
| (iii) |
nëpërmjet kërkesës formale drejtuar Autoritetit Qendror Holandez në bazë të një traktati mbi ndihmën reciproke juridike midis shtetit pritës dhe shtetit ku gjendet pala kërkuese; dhe |
| (iv) |
nëpërmjet ftuesit të gjyqit (gerechtsdeurwaarder) në çështje administrative dhe civile jashtë shtetit pritës dhe në çështje administrative, civile dhe penale në shtetin pritës. |
Posta rekomandé për një të paraburgosur dërgohet në adresën e mëposhtme:
P.I. Haaglanden
United Nations Detention Unit
Pompstationsweg 32
2597 JW The Hague
The Netherlands
g) Kërkesa për heqjen e imunitetit të një zyrtari ose ish-zyrtari të TPNJ-së
Në qoftë se një zyrtari ose ish-zyrtari të TPNJ-së i kërkohet ose thirret për të dhënë një deklaratë ose dëshmi si dëshmitar ose i dyshuar në një çështje administrative, civile ose penale në fazën hetimore ose në procedim para një gjykate të një juridiksioni tjetër, Sekretarit të Përgjithshëm mund t’i bëhet kërkesë për heqjen e imunitetit në përputhje me Konventën mbi Privilegjet dhe Imunitetet e Kombeve të Bashkuara e 13 shkurtit 1946 (“Konventa e Përgjithshme”) dhe me kushtet e Marrëveshjes mbi Selinë e TPNJ-së në rast se është e nevojshme, para marrjes së deklaratës ose dëshmisë.
Pala kërkuese e deklaratës ose dëshmisë i paraqet kërkesë Sekretarit të Tribunalit, i cili ia përcjell kërkesën Sekretarit të Përgjithshëm në rast se kërkohet heqje imuniteti.
 |
 |
|
..............................................................
Kërkesat për Zyrën e Prokurorit duhen dërguar në adresën:
ICTY - Office of the Prosecutor
Request Unit
P.O. BOX 13888
2501EW The Hague
The Netherlands
..............................................................
..............................................................
Kërkesat për Sekretarinë mund të dërgohen me postë të zakonshme ose me postë elektronike:
ICTY - Registry
Requests for Assistance Focal Point
P.O. BOX 13888
2501EW The Hague
The Netherlands
requests-assistance@icty.org
..............................................................
..............................................................
SARAJEVË, Bosnjë-Hercegovinë:
sarajevo-outreach@un.org
Tel.: +387 (0)33 568 530
Fax: +387 (0)33 568 547
..............................................................
ZAGREB, Kroaci:
zagreb-outreach@un.org
Tel.: +385 (0)1 390 8869
Fax: +385 (0)1 390 8846
..............................................................
BEOGRAD, Serbi:
belgrade-outreach@un.org
Tel.: +381 (0)11 306 5467
Fax: +381 (0)11 306 6090
..............................................................
PRISHTINË, Kosovë
pristina-outreach@un.org
Tel: +381 38 504 604 4101
Fax: +381 38 504 604 ext. 4536
..............................................................
..............................................................
Ministry of Justice
Prins Clauselaan 60
P.O. Box 20302
2500 EH, The Hague
The Netherlands
Tel. +31 70 381-1580 / 3345
Fax. +31 70 381-3840
..............................................................
..............................................................
Spui 184
2511 BW, The Hague
The Netherlands
Tel.: +31 70 330-7111
Fax.: +31 70 360-2861
..............................................................
..............................................................
Prinses Margrietplantsoen 49
2595 BR, The Hague
The Netherlands
Tel. +31 70 890-3530
Fax. +31 70 890-3531
..............................................................
|