Arritjet Kryesore


Arritjet e Tribunalit:


VËNIA PARA PËRGJEGJËSISË E UDHËHEQËSVE

Duke vënë individë para përgjegjësisë pavarësisht prej postit të tyre, Tribunali ka shkatërruar traditën e mosndëshkimit të krimeve të luftës. Tribunali ngriti aktakuza kundër kryetarëve të shtetit, kryeministrave, shefave të shtabeve të ushtrisë, an
ëtarëve të qeverive dhe shumë udhëheqësve të tjerë nga palët e ndryshme në konfliktin e Jugosllavisë. Falë Tribunalit, nuk shtrohet më pyetja se a duhet të vihen udhëheqësit para përgjegjësisë, por si mund të vihen para përgjegjësisë.
 
DREJTËSI PËR VIKTIMAT

Duke vënë individë para përgjegjësisë për krimet e kryera në ish-Jugosllavi, Tribunali sjell drejtësi për viktimat. Tribunali ka ngritur aktakuza kundër 161 të akuzuarve, për krime të kryera kundër mijëra e mijëra viktimave gjatë konflikteve në Kroaci (1991-1995), në Bosnjë dhe Hercegovinë (1992-1995), në Kosovë (1998-1999) dhe në ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë (2001).
>> Lexo më shumë


ZË PËR VIKTIMAT

Tribunali u dha mundësinë mijëra viktimave për t’u dëgjuar dhe për të folur në lidhje me vuajtjet e tyre. Shumë nga ata/ato treguan kurajë të jashtëzakonshme në kujtimin e përvojave të tyre sfilitëse. Tribunali i ruan dëshmitë e tyre në transkripte gjyqësore dhe videofilmime.

 
VËRTETIMI I FAKTEVE


Tribunali vërtetoi jashtë çdo dyshimi të arsyeshëm fakte kyçe në lidhje me krimet e kryera në ish-Jugosllavisë. Për vërtetimin e fakteve gjykatësit e Tribunalit, gjatë proceseve shqyrtuan me kujdes dëshmitë e dëshmitarëve okularë, mbijetuesve, kryesve të krimeve, të dhënat prej kriminalistikës dhe shpesh dëshmi dokumentare ose filmike, të cilat nuk janë parë më herët. Aktgjykimet e Tribunalit kanë kontribuar në krijimin e një arkivi historik kundër mohimit të krimeve dhe për parandalimin e orvatjeve për rishkrimin e historisë dhe vendosi bazat për nisma të ardhshme rajonale të drejtësisë në fazën kalimtare.
>> Lexo më shumë

ZHVILLIMI I TË DREJTËS NDËRKOMBËTARE

Që nga themelimi, para më se një dekade, Tribunali ka zhvilluar në mënyrë të vazhdueshme dhe sistematike të drejtën ndërkombëtare. Puna dhe arritjet e Tribunalit frymëzuan krijimin e gjykatave të tjera penale ndërkombëtare, nd
ër të cilat Tribunali Penal Ndërkombëtar për Ruandën, Gjykata e Posaçme për Sierra Leonen dhe Gjykata Penale Ndërkombëtare. Tribunali ka provuar që drejtësia ndërkombëtare kompetente dhe transparente është e realizueshme. >> Lexo më shumë

FUQIZIMI I PUSHTETIT TË LIGJIT

Tribunali ka nxitur reformimin e sistemeve të drejtësisë në ish-Jugosllavi dhe vazhdimin e punës për gjykimin e përgjegjësve për krime lufte. Tribunali punon në partneritet me gjykatat vendore në rajon, duke iu ofruar prova, dijeni dhe jurisprudencë, si pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme për forcimin e pushtetit të ligjit dhe arritjes së drejtësisë për viktimat në ish-Jugosllavi.
>> Lexo më shumë



DREJTËSI PËR MIJËRA VIKTIMA DHE DËGJIMI I ZËRIT TË VIKTIMAVE


Tribunali u dha mundësinë mijëra viktimave për t’u dëgjuar dhe folur për vuajtjet e tyre. Shumë nga ata/ato treguan kurajo të jashtëzakonshme në kujtimin e përvojave të tyre sfilitëse. Tribunali i ruan dëshmitë e tyre në transkripte gjyqësore dhe videofilmime.

Një nga dëshmitarët që dëshmoi në Tribunal, profesionist i mjekësisë që mori pjesë në trajtimin mjekësor të viktimake të luftës tha se “Tribunali i Hagës, (për) të gjitha viktimat, të gjitha gratë me të cilat pata mundësinë të punoja, është i një rëndësie të madhe për ata/ato… Ata/ato besojnë se arsyeja e vërtetë për çfarë ndodhi do të zbulohet dhe se njerëzit duke përfshirë edhe viktimat, do të gjejnë guximin e mjaftueshëm për të treguar çfarë ndodhi… Njerëzit presin arritjen e drejtësisë dhe marrjen e  vendimeve të drejta”. (Prokurori kundër Radoslav Krstiqit (IT-98-33), 7 korrik 2000, dëshmitari Teufika Ibrahimefendiq).

Duke vënë individë me pozitë të lartë para përgjegjësisë për krimet e kryera në ish-Jugosllavi, Tribunali u jep viktimave mundësinë të shohin se individët përgjegjës për vuajtjet e tyre po dënohen nga një gjykatë penale ndërkombëtare dhe po dërgohen në burg.

Njëkohësisht, shumë viktima luajnë një rol të rëndësishëm në procedurat gjyqësore në Tribunal si dëshmitarë. Duke dëshmuar në Tribunal, ata/ato kontribuojnë në procesin e zbulimit të së vërtetës. Nga ana tjetër, procedurat gjyqësore të Tribunalit u japin mundësinë këtyre viktimave dhe dëshmitarëve për t’u dëgjuar dhe për të folur në lidhje me vuajtjet e tyre. Deri më sot 5.000 dëshmitarë kanë treguar përvojat e tyre në gjykatë.



VËRTETIMI I FAKTEVE

Dëshmitë e mbijetuesve janë të domosdoshme në çështjet kur provat dokumentare janë të pakta në lidhje me implikimin e kryesve të krimeve. në çështjen “Çelebiqi” (Prokurori kundër Muciqit dhe të tjerëve(IT-96-21)) dëshmitë e dëshmitarëve okularë ishin me rëndësi kyçe.

 Gjatë mesit të prillit 1992, në komunën etnikisht të përzierë të Konjicit në Bosnjë dhe Hercegovinë (BiH), situata u tensionua më shumë. Serbët bosnjakë rrethuan qytetin Konjic dhe Armata Popullore Jugosllave (AJP) ndërmori granatime. Pas dështimit të negociatave midis APJ-së dhe forcave të bashkuara të muslimanëve bosnjakë dhe kroatëve bosnjakë, dy aleatët kryen një fushatë të suksesshme ushtarake që eliminoi bllokadën e qytetit. U kapën shumë burra serbë vendës dhe disa gra serbe të cilët u mbajtën në vende të ndryshme, ndër të cilët në një kamp-burg në fshatin Çelebiqi.
 

Gjatë procesit gjyqësor “Çelebiqi” shumë viktima që dëshmuan, përshkruan se ata panë ose përjetuan veprime mizore dhe të dhunshme, se jetuan në kushte çnjerëzore pa ushqim, pa ujë, shërbim mjekësor ose mjete për fjetje. Dhoma Gjyqësore konstatoi, “... se në kamp mbretëronte një atmosferë frike dhe kërcënuese, e shkaktuar prej rrahjeve të ushtruara pa dallim në arrestimin e të burgosurve, gjatë transferimit të tyre në kamp dhe pas mbërritjes së tyre atje.” (Prokurori kundër Muçiqit dhe të tjerëve., Aktgjykim, 16 nëntor 1998). 


Dhoma Gjyqësore dëgjoi dëshmi në lidhje me shumë incidente në kamp. Grozdana Çeçez ishte një prej viktimave që vuajtën tortura dhe përdhunim. Ajo deklaroi se Hazim Deliq, zëvendëskomandant i kampit, e përdhunoi dy herë dhe se “unë isha krejt e mbaruar psikologjikisht dhe fizikisht” (Prokurori kundër Muciqit dhe të tjerëve(IT-96-21)), 18 mars 1997, dëshmitarja Grozdana Çeçez) Një i burgosur tjetër, Nedelko Draganiq, dëshmoi se pas arrestimit të tij, disa roje, ndër të cilët Esat Lanxho, ia lidhnin duart pas një trau dhe e rrihnin thuajse përditë me kondakë pushkësh dhe pllaka të drunjta; në raste të tjera Esad Lanxho derdhi benzinë mbi pantallonat e tij dhe iu vuri flakën. Draganiq shpjegoi se “... Deliqi ... na tha se ishim burgosur sepse ishim serbë.” (Prokurori kundër Muciqit dhe të tjerëve(IT-96-21)) 2 prill 1997, dëshmitari Nedelko Draganiq). Veprime të tjera çnjerëzore ishin elekroshokët, që u përdorën për shkaktimin e dhimbjeve, dridhjeve, djegieve dhe blanave ndaj të burgosurve. Të burgosurit Milenko Kuljanin dhe Novica Gjorgjiq deklaruan se Hazim Deliqi përjetonte kënaqësi sadiste prej elektroshokëve. Mirko Gjorgjiqi ishte i burgosur tjetër që u keqtrajtua mizorisht dhe u torturua. Ai deklaroi se shpesh humbte ndjenjat prej rrahjeve dhe se një herë Esad Lanxho e detyroi të hapte gojën dhe i futi një palë darë të nxehura në gjuhë si edhe në vesh. Disa prej të burgosurve u vranë me urdhër të komandantit të kampit, Zdravko Muçiq. Për shembull, Boshko Samoukoviq u rrah egërsisht me pllaka të drunjta dhe më pas vdiq si pasojë e lëndimeve.
 


Procesi gjyqësor “Çelebiqi” shënoi një moment të rëndësishëm në të drejtën ndërkombëtare. Ishte hera e parë që një gjykatë konkludoi se përdhunimi ishte një formë torture dhe shpalli fajtor një të akuzuar mbi këtë bazë. Siç u deklarua prej Dhomës Gjyqësore në aktgjykimin e saj, “pa dyshim që përdhunimi mund të përbëjë torturë në të drejtën zakonore”. (Prokurori kundër Muciqit dhe të tjerëve, Deklaratë e Dhomës Gjyqësore në Seancën e Shpalljes së Aktgjykimit, 16 nëntor 19980 Për viktimat, shpërblimi më i madh ishte vërtetimi i fakteve dhe pranimi i vuajtjes së serbëve në kampin Çelebiqi.
 


Dhjetra krime të kryer në Kroaci u hetuan dhe konfirmuan para trupit gjykues në Tribunal. Veçanërisht dy incidente patën jehonë të gjerë në publik; granatimi i qendrës historike të Dubrovnikut në dhjetor 1991, dhe sulmi artilerik ndaj Zagrebit në maj 1995.
 


Më 6 dhjetor 1991, APJ-ja granatoi vendin e përfshirë në listën e UNESCO-s, Qytetin e Vjetër të Dubrovnikut. Gjatë gjykimit të Pavle Strugarit, komandant i këtij operacioni, mbrojtja sugjeroi variante të ndryshme të ngjarjeve. U argumentua se Qyteti i Vjetër thuajse nuk u dëmtua, se dëmtimet e vogla u shkaktuan qëllimisht ose aksidentalisht prej forcave kroate ose se APJ-ja granatoi, por se ata goditën pozicionet e pretenduara kroate brenda Qytetit të Vjetër dhe përreth tij. Gjykatësit e Tribunalit i analizuan këto pretendime po ashtu si edhe pretendimet e Prokurorisë.
 


Dhoma Gjyqësore konkludoi se ishte bindur se dëmi ishte i konsiderueshëm dhe i përhapur në zona të gjera të Qytetit të Vjetër. Gjykatësit hodhën poshtë si të pabesueshëm raportin e APJ-së pak ditë pas granatimit ku rrekej të vërtetohej se dëmi ishte minimal. “Provat tregojnë se ky Komision nuk kontrolloi zona të Qytetit të Vjetër kështu që një pjesë e dëmeve nuk u morën aspak në konsideratë.” (Prokurori kundër Strugarit (IT-01-42), Aktgjykimi i Dhomës Gjyqësore, 31 janar 2005). Gjykatësit konkluduan se gjatë granatimit u dëmtuan 52 ndërtesa dhe gjashtë u shkatërruan.
 


Në të vërtetë ekzistonte një tërësi e madhe provash që tregonin se dëmet u shkaktuan prej granatimit të APJ-së, dhe jo prej forcave kroate. Ekspertët balistikë dhe një numër dëshmitarësh ndihmuan në vërtetimin e këtij pretendimi. Një prej tyre ishte kapiteni i ushtrisë kroate Ivan Negodiq I cili dëshmoi për bisedën e përgjuar midis një ushtari të APJ-së dhe eprorit të tij: “(...) ushtari pyeti kapitenin e tij. Kapiten, çfarë objektivi të godas? I kërkoj ndjesë paraprakisht gjykatës sepse më duhet ta them fjalë për fjalë dhe përkthej fjalë për fjalë, përgjigjen e kapitenit për ushtarin. Ai tha: Shkërdhatë. Gjithçka është objektiv brenda Qytetit të Vjetër dhe mureve të tij.” (Prokurori kundër Strugarit (IT-01-42), 23 prill 2004, dëshmitari Ivan Negodiq).
 


Gjithashtu u vërtetua se pozicionet kroate ishin shumë larg prej Qytetit të Vjetër për ta ekspozuar atë ndaj rrezikut të qitjeve aksidentale ose të paqëllimshme prej APJ-së. Gjykatësit dëgjuan dëshmitë e dëshmitarëve të shumtë, ndër të cilët gazetarë dhe vëzhgues ndërkombëtarë, të cilët vunë në pikëpyetje pretendimet mbi praninë ushtarake kroate në qytet. Dhoma Gjyqësore konkludoi se, “prania e vëzhguesve të ndryshëm të pavarur, të cilët ishin në gatishmëri për monitorimin e veprimeve në Qytetin e Vjetër, veçanërisht operacione ushtarake, nxjerr në pah mosgjasën që mbrojtësit kroatë të ndërtonin ose përdornin pozicione mbrojtëse në Qytetin e Vjetër, ose të shtinin me artileri ose armë të tjera nga Qyteti i Vjetër dhe se veprime të tilla mund të kryheshin pa u diktuar.” (Prokurori kundër Strugarit (IT-01-42), Aktgjykimi i Dhomës Gjyqësore, 31 janar 2005). Gjithashtu në ditaret e APJ-së nuk u gjetën shënime për praninë ushtarake kroate.
 


Në maj 1995, serbët kroatë pësuan disa humbje ushtarake dhe si shpagim i drejtpërdrejtë më 2 dhe 3 maj ata granatuan qendrën e Zagrebit. U vranë shtatë civilë dhe u plagosën 214 të tjerë. Tribunali kreu një hetim që rezultoi në aktakuzë kundër kryetarit të atëhershëm të serbëve kroatë, Milan Martiq. Gjatë procedimit të çështjes, gjykatësit e Tribunalit shqyrtuan provat dhe konkluduan se ishte provuar jashtë çdo dyshimi të arsyeshëm se Martiq kishte urdhëruar granatimin e qëllimshëm kundër civilëve (Prokurori kundër Martiqit (IT-95-11) Aktgjykimi i Apelit, 8 tetor 2008).
 


Ata konkluduan se shkaktimi i viktimave ndër civilë ishte i pashmangshëm duke marrë në konsideratë llojet e armëve të përdorura, mortaja pa precizion M-87 Orkan. Gjykatësit shqyrtuan hollësisht raketën dhe theksuan “veçoritë e armës, si armë pa precizion dhe me përhapje të gjerë (...) që nuk mund të godasë objektiva konkrete. (Prokurori kundër Martiqit (IT-95-11) Aktgjykimi i Dhomës Gjyqësore, 12 qershor 2007) Në zona me popullsi të dendur si qendra e Zagrebit, kjo armë pa precizion pa dyshim do të shkaktonte fatkeqësi të rënda. (Prokurori kundër Martiqit (IT-95-11) Aktgjykimi i Apelit, 8 tetor 2008). Gjykatësit hodhën poshtë pretendimin se sulmi ishte shpagim legjitim dhe theksuan se motivet e një veprimi kriminal nuk kanë rëndësi.
 


Në të dyja këto çështje duhet kuptuar se udhëheqësit nuk u dënuan për pikëpamjet e tyre politike apo synimet e udhëheqjes serbe, por sipas konkluzionit të Dhomës së Apelit në çështjen Martiq, “... në realizimin e synimeve politike, Martiqi dhe udhëheqës të tjerë politikë dhe ushtarakë kryen krime të rënda.” (Prokurori kundër Martiqit, 8 tetor 2008).
 


Konflikti në Kosovë midis shumicës shqiptare që kërkonte pavarësi dhe forcave serbe që synonin ta mbanin territorin brenda Serbisë, përfundoi në qershor 1999 kur Kombet e Bashkuara autorizuan dhe vunë në funksionim një administratë të përkohshme. Largimi i forcave serbe u mundësoi hetuesve të Tribunalit hyrjen në rajon dhe kryerjen e hetimeve të themelta për të vërtetuar llojet e krimeve të kryera dhe përcaktuar përgjegjësit kryesorë të krimeve.
 


Megjithëse individët e parë kundër të cilëve Tribunali ngriti aktakuza ishin presidenti jugosllav Sllobodan Millosheviq me disa prej ndihmësve të tij më të afërt për krimet e kryera prej forcave serbe të sigurimit në Kosovë, procesi i parë gjyqësor i përfunduar në Tribunal për krimet në Kosovë ishte çështja Limaj dhe të tjerët në lidhje me tre ushtarakë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Procesi gjyqësor u përqëndrua në krimet kundër njerëzimit në kamp-burgun e Llapushnikut administruar prej UÇK-së në Kosovën qendrore.
 


Prokuroria deklaroi se UÇK-ja kishte ndërmarrë një sulm të gjerë ose sistematik kundër popullatës civile, shqiptarë dhe serbë, pretendim i cili u hodh poshtë prej gjykatësve. Mirëpo në aktgjykim u konkludua se, “ ... ekzistojnë prova për një nivel organizimi sistematik ose të bashkërenduar për rrëmbimin dhe burgimin e disa individëve.” (Prokurori k. Limajt dhe të tjerëve, Aktgjykim, 30 nëntor 2005)
 


Megjithëse fillimisht u mohua prej të akuzuarve, ekzistenca e kamp-burgut të Llapushnikut u konfirmua përmes dëshmive të dhëna në gjyq. Gjykatësit konkluduan se kampi bënte pjesë në “shënjestrimin e organizuar dhe të bashkërenduar të individëve të dyshuar si bashkëpunëtorë”. (Prokurori k. Limajt dhe të tjerëve, Aktgjykim, 30 nëntor 2005). Në Aktgjykim u përcaktua se UÇK-ja rrëmbeu anëtarë të forcave serbe të sigurisë si dhe shqiptarë të dyshuar si “bashkëpunëtorë” të cilët u diskriminuan, u keqtrajtuan fizikisht dhe psikologjikisht. “Shqiptarët kosovarë për të cilët mendohej se kishin lidhje me ushtrinë ose policinë serbe, u trajtuan egërsisht gjatë burgimit.” (Prokurori k. Limajt dhe të tjerëve., Aktgjykim, 30 nëntor 2005)


Të akuzuarit prej UÇK-së për bashkëpunim u quajtën “spiunë” ose “tradhtarë ndaj popullit të tyre” (Limaj dhe të tjerët., Aktgjykim, 30 nëntor 2005). Provë kyçe e pranuar nga gjykatësit ishte komunikata nr 43 e UÇK-së, publikuar më 4 mars 1998 që përmbante frazën “vdekje armiqve dhe tradhtarëve.” (Prokurori k. Limajt dhe të tjerëve., Aktgjykim, 30 nëntor 2005).
 

Gjatë procesit gjyqësor u përcaktuan identitetet e 27 të burgosurve në Llapushnik, civilë të përkatësisë shqiptare dhe serbe. Prej dëshmive të ish-të burgosurve u përvijua një tablo e rëndë e kushteve, dhe këto rrëfime u pranuan si fakte prej gjykatësve. U vërtetua se thusajse të gjithë të rrëmbyerit u mbajtën në një kthinë shumë të vogël (fllanik) në bodrum, ose në një kthinë tjetër të vogël që përdprej si ahur për lopët. Kushtet në këto kthina ishin çnjerëzore. Më të shumtën e kohës ato ishin të mbipopulluara me njerëz. Nuk kishte mjete larëse dhe higjienike, megjithëse pas një periudhe fillestare, në fllanik u vendos një kovë për kryerjen e nevojave personale. Kova nuk zbrazej rregullisht, kështu që ajo tejmbushej. Të burgosurit flinin në dysheme prej betoni ose nëqoftëse ishin me fat, mbi kashtë. Ushqimi jepej jo rregullisht, ndonjëherë kalonin ditë pa ngrënë. Thuajse nuk kishte ajrim dhe atmosfera ishte mbytëse prej nxehtësisë dhe kutërbimit. Shumë prej të burgosurve ishin lidhur prej duarsh ose këmbësh ose duar e këmbë. Disa të burgosur u lidhën me të burgosur të tjerë. Në ahur shumica e të burgosurve mbaheshin të lidhur me zinxhir në mur dhe nuk ishin në gjendje të lëviznin prej pozicionit të tyre në dhomë. Ata ishin të detyruar kryenin nevojat personale në vend. Shumë prej të burgosurve ishin lënduar rëndë, gjymtyrë dhe eshtra të thyera, lëndime të brendshme ose plagë prej armëve të zjarrit. Nuk u ofrua asnjë mjekim megjithëse ishte një klinikë mjekësore në fshat për personelin e UÇK-së.
 Në bazë të dëshmive, anëtarë të UÇK-së rrahën dhe keqtrajtuan të burgosurit. Ndodhte vazhdimisht që “të burgosurit zgjoheshin prej llampave të dorës dhe keqtrajtoheshin, kishte raste edhe disa herë gjatë ditës.” (Prokurori k. Limajt dhe të tjerëve., Aktgjykim, 30 nëntor 2005) Shpesh të burgosurve u lidhnin sytë, duart dhe nxirreshin prej kthinës natën nga ushtarë të UÇK-së, të cilët shpesh mbanin kapuçë për të mbuluar fytyrën. Pastaj të burgosurit rriheshin egërsisht ose pësonin dhunë tjetër të tejskajshme dhe më pas ktheheshin në kthinat ku mbaheshin, herë pas here të alivanosur ose me dhimbje të padurueshme. Të burgosurit jetonin “me frikën e përhershme prej keqtrajtimit fizik në mos vdekjes dhe në gjendje të vazhdueshme ankthi që shtohej prej zgjedhjes arbitrare të të burgosurve për keqtrajtim.” (Prokurori k. Limajt dhe të tjerëve., Aktgjykim, 30 nëntor 2005). Si rezultat u provua vdekja e tre individëve. Haradin Bala, roje në kamp-burgun e Llapushnikut u shpall fajtor për torturimin dhe keqtrajtimin e disa të burgosurve.

Gjithashtu Bala u shpall fajtor për vrasje të kryera kur UÇK-ja u detyrua të braktiste kampin më 25 ose 26 korrik 1998 për shkak të një ofensive serbe. Bala dhe një rojë tjetër i UÇK-së përcollën një grup të burgosurish në Malet e afërta të Berishës. Më tej rojet liruan disa prej tyre dhe ekzekutuan nëntë të burgosurit e mbetur, të tërë shqiptarë kosovarë.
 

Kjo çështje mbulon vetëm një pjesë të vogël të ngjarjeve në Kosovë në atë kohë, më shumë fakte do të zbulohen në lidhje me pretendimet për krime të UÇK-së pas përfundimit të çështjes Haradinaj dhe të tjerët dhe pas përfundimit të çështjeve gjyqësore Milutinoviq dhe të tjerë dhe Vllastimir Gjorgjeviq do të përvijohet tabloja e plotë e krimeve të kryera nga forcat serbe të sigurisë.





ZHVILLIMI I TË DREJTËS NDËRKOMBËTARE

Që nga themelimi, para më se një dekade, Tribunali ka zhvilluar në mënyrë të vazhdueshme dhe sistematike të drejtën ndërkombëtare humanitare. Puna dhe arritjet e Tribunalit frymëzuan krijimin e gjykatave të tjera penale ndërkombëtare, duke përfshirë Tribunalin Penal Ndërkombëtar për Ruandën, Gjykatën Speciale për Sierra Leonen dhe Gjykatën Penale Ndërkombëtare. Tribunali ka vërtetuar që drejtësia ndërkombëtare kompetente dhe transparente është e realizueshme.

Tribunali është një institucion i pashoq dhe udhërrëfyes në proceset gjyqësore të drejtësisë ndërkombëtare. Ky Tribunal është vërtetë Tribunali i parë Ndërkombëtar për ndjekje penale të krimeve të luftës, dhe Trbunali i parë i themeluar nga Kapitulli VII i Kartës së OKB-së si masë për ruajtjen e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare. Tribunali ka dhënë një numër kontributesh jetëgjata në drejtësinë ndërkombëtare: innovative

•    Tribunali krijoi një sistem rishtar në të drejtën procedurale, duke kombinuar elementet e traditës juridike anglosaksone dhe civile;
•    Tribunali është shembull i përdorimit të pajisjeve më moderne në botë në sallën  gjyqësore,  pamja e brendshme dhe pajisjet teknike të së cilës janë marrë si model nga gjykata të tjera bashkëkohore siç është Gjykata Penale Ndërkombëtare dhe Gjykata Speciale për Sierra Leonen;
•    Tribunali përcaktoi, zhvilloi dhe përmirësoi një program efektiv për viktima dhe dëshmitarë;
•    Tribunali krijoi një sistem të ri të ndihmës juridike dhe kontribuoi në krijimin a një grupi të avokatëve mbrojtës të kualifikuar për të përfaqësuar të akuzuarit në procedurat gjyqësore penale të krimeve të luftës para gjykatësve ndërkombëtarë;
•    Tribunali krijoi Regjistrin e Të Dhënave Gjyqësore të gjithë jurisprudencës të tij, duke ofruar shfrytëzimin e një jurisprudence të gjerë në të drejtën ndërkombëtare procedurale dhe penale.

Precendentët ligjorë të vendosur nga Tribunali zgjeruan kufijtë e të drejtës humanitare ndërkombëtare dhe të drejtës penale ndërkombëtare penale, si në përmbajtje po ashtu edhe në procedurë.

•    Tribunali identifikoi një moslejim të përgjithëm të torturës në të drejtën ndërkombëtare që nuk mund të cënohet nga asnjë traktat, ligj shtetëror ose në ndonjë mënyrë tjetër;
•    Tribunali bëri përparime të rëndësishme në të drejtën humanitare ndërkombëtare në lidhje me qasjen ligjore dhe ndëshkimin e dhunës seksuale në kohë lufte; 
•    Tribunali përcaktoi saktësisht elementet thelbësorë të krimit të gjenocidit, në veçanti përkufizimin e objektivit të këtij krimi;
•    Tribunali vendosi që robërimi dhe përndjekja përbëjnë krime kundër njerzimit;
•    Tribunali zbatoi doktrinën bashkëkohore të përgjegjësisë penale të eprorëve, të ashtuquajturën përgjegjësi komanduese. Tribunali qartësoi se lidhja zyrtare epror-vartës nuk është domosdoshmërisht e nevojshme për përgjegjësi penale. Gjithashtu Tribunali hoqi pasigurinë në lidhje me nivelin e dijenisë së kërkuar nga eprorët e vartësve që do të kryenin ose kishin kryer krimet;
•    Tribunali ka dhënë kontribute të shumta në çështje të të drejtës procedurale, disa prej tyre në fushën e masave mbrojtëse për dëshmitarët, konfidencialitetit dhe zbulimit të informacionit që ka lidhje me sigurinë kombëtare të shteteve, deklarimeve të fajësisë prej të akuzuarve dhe shtërngimit si mbrojtje dhe të tjera.



FUQIZIMI I PUSHTETIT TË LIGJIT

Tribunali ka nxitur reformimin e sistemeve të drejtësisë në ish-Jugosllavi dhe vazhdimin e punës për të gjykuar ata/ato që janë përgjegjës për krime. Tribunali punon në partneritet me gjykatat vendore në rajon, duke iu ofruar prova, dijeni dhe jurisprudencë, si pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme për fuqizimin e pushtetit të ligjit dhe arritjes së drejtësisë për viktimat në ish-Jugosllavi.

Në nëntor të vitit 1995, me arritjen e Marrëveshjes së Paqes së Dejtonit, kryetari i atëhershëm i Tribunalit, Antonio Cassese, komentoi kështu:

“ Drejtësia është element i pazëvendësueshëm në procesin e pajtimit kombëtar. Drejtësia përbën thelbin e rivendosjes së marrëdhënieve paqësore dhe normale ndërmjet njerëzve të cilët jetuan në një kohë të sunduar nga terrori. Drejtësia thyen ciklin e dhunës, urrejtjes dhe hakmarjes jashtëgjyqësore. Rrjedhimisht Paqja dhe Drejtësia janë të pandara.." (Antonio Cassese, Kumtim Shtypi i TPNJ-së numër 27, data 24 nëntor 1995)

Përveç funksionit të tij kryesor për gjykimin e individëve për krime lufte, Tribunali gjithashtu shërbeu si stimulues i autoriteteve në ish-Jugosllavi për reformimin e sistemeve gjyqësore dhe ishte faktor përshpejtues në krijimin e gjykatave për krime lufte. Këto gjykata dhe gjykata të tjera gjithandej në ish-Jugosllavi, kanë përfituardhe do të vazhdojnë të përfitojnë nga përvoja e çmuar e Tribunalit në trajtimin e krimeve të luftës dhe nga tërësia e provave të TPNJ-së të cilat u janë ofruar dhe do t’u ofrohen në të ardhme prokurorëve të atjeshëm.

Nëpërmes rolit të saj qëndror në të ashtuqujturën sistemin e Rregullores së Qarkullimit Rrugor, Prokuroria e TPNJ-së ka shqyrtuar më shumë se 900 dosje hetimore nga zyrat e prokurorisë në Bosnjë dhe Hercegovinë për të verifikuar nëse hetimet ishin të përligjura dhe nëse ndonjë prej tyre kishte lidhje me çështjet gjyqësore të TPNJ-së. Kjo u bë me qëllim që të sigurohej liria e lëvizjes në tërë Bosnjën dhe Hercegovinën duke parandaluar arrestime arbitrare të individëve për akuza të krimeve të luftës.

Për të mbështetur procesin e fuqizimit të   mëtejshëm të pushtetit të ligjit, Tribunali është aktivisht i përfshirë në transferimin e ekspertizës së tij te juristët profesionistë nga ish-Jugosllavia për t’i ndihmuar ata në trajtimin e rasteve të krimeve të luftës dhe për të fuqizuar standardet juridike ndërkombëtare në sistemet e tyre vendore. Në zbatimin e strategjisë së tij përmbyllëse, Tribunali tashmë ka filluar të tranferojë disa çështje gjyqësore të TPNJ-së te gjykatat shtetërore në ish-Jugosllavi, duke i dhënë kështu hapësira të reja parimit të njëkohshmërisë së jurisdiksionit të tij me juridiksionet e gjykatave shtetërore. Tribunali është veçanërisht i angazhuar në ndihmën ndaj Dhomës për Krime të Luftës të Gjykatës Shtetërore të Bosnjës dhe Hercegovinës. TPNJ-ja gjithashtu i dha ndihmë thelbësore Dhomës për Krime të Luftës të Gjykatës së Qarkut në Beograd si dhe sistemit gjyqësor kroat në lidhje me rastet e krimeve të luftës dhe Tribunali do të vazhdojë me këtë ndihmë.

Të gjitha këto përpjekje kanë kontribuar në promovimin e respektit për pushtetin e ligjit në tërë ish-Jugosllavinë, faktor shumë i rëndësishëm për stabilitetin jetëgjatë të rajonit.

Tribunali dha kontribut jetik për drejtësinë ndërkombëtare, kontribut që vlen shtrihet jashtë kufijve të rajonit të ish-Jugosllavisë. Gjykatësit dhe personeli i Tribunalit vazhdimisht u kanë ofruar  ekspertizën e tyre të gjithë atyre  që janë të përfshirë në zhvillimin e gjykatave të tjera ndërkombëtare, siç janë Gjykata Ndërkombëtare Penale, Gjykata Speciale për Sierra Leonen dhe të tjera. Me përvojën e tij, Tribunali luajti një rol të rëndësisë së madhe në arritjen e drejtësisë jo vetëm për popujt e ish-Jugosllavisë por në mbarë globin.